Z. Lazim Destani flet para startit të sezonit pranveror

Një ditë para fillimit të gjysmësezonit pranveror në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, z. Lazim Destani me një fjalë përshëndetëse u drejtohet të gjithë atyre që ndjejnë veten ‘kuqezi’.

 

Të dashur miq, simpatizantë dhe anëtarë të KF “Shkëndija”

Kaluan tashmë dy vite e gjysmë nga koha kur e morëm përsipër menaxhimin dhe sponsorimin e KF Shkëndija, pra nga momenti kur klubit të zemrës i thamë, “PO, Shkëndija”.

Siç e dini, para fillimit të stinorit 2013/14, Klubin e gjetëm në një situatë kur nevoja për mbështetje financiare dhe menaxhim të mirë përbënte domosdoshmëri emergjente për mbijetesë. KF Shkëndija gjendej në krizë të thellë financiare dhe në shpërbërje e sipër. E vetmja gjë që nuk e kishte humbur fare madhështinë dhe shkëlqimin ishte Emblema e lavdishme kuqezi prapa së cilës qëndronte gjithë ai mal vuajtjesh, sakrificash dhe përpjekjesh me shpirt triumfues. Në këto momente krize për klubin, e pamë të lënduar shpirtërisht grupimin ‘Ballistët’ të cilët, me aktivitetet e tyre, po bënin të pamundurën për të gjetur zgjidhje për klubin. Gjenerata të tëra futbollistësh, tifozë e qytetarë të shumtë duke nisur nga themeluesit e klubit, dhanë kontribut të paçmueshëm dhe ndër dekada u bënë ballë stuhive të njëpasnjëshme për ta mbajtur ndezur këtë vatër sporti e cila me kalimin e kohës po bëhej krenaria e të rinjve shqiptarë të kësaj ane.

Para stinorit të sivjetmë, 2015/16, në vitin e tretë të konsolidimit të Shkëndijës dhe në përputhje me zotimet dhe konceptin e zhvillimit të klubit, kemi përcaktuar targete të larta. Përkundër rrethanave të vështira infrastrukturore, jemi në rrugë të mbarë drejt realizimit të synimeve tona. Uroj dhe shpresoj që së bashku me Ju t’i përmbushim ato dhe në fund të stinorit, t’i shijojmë sukseset.

Motoja jonë e përbashkët, “Shkëndija mbi të gjitha”, nuk është vetëm një refren që tingëllon bukur. Ajo kërkon përkushtimin e të gjithëve sepse të gjithë ne e dimë arsyen pse Shkëndija është më shumë se një klub sporti. Sot “Shkëndija” në shumë aspekte është një klub unik, – ja në vijim vetëm disa prej tyre:

–  Historiku i klubit, përplot sakrifica të gërshetuara me substancën tonë shpirtërore kuqezi, përbën arsyen që më së shumti na detyron ndaj Shkëndijës. E çmojmë lartë kontributin që kanë dhënë të gjitha strukturat, anëtarët, simpatizantët dhe popullata e gjerë në përkrahje të KF Shkëndija gjatë të gjitha periudhave kohore, nga themelimi e këndej.

–  Sot “Shkëndija” është brend rajonal por nga aspekti i përbërjes së skuadrës, menaxhmentit dhe financimit shquan karakteri i saj ndërkombëtar. Ky brend tashmë funksionon me një emërues të përbashkët – të gjithë jemi një! Krahas dallimeve që kemi, është fanella jonë kuqezi, ajo që na bashkon të gjithëve për të shkuar drejt fitoreve. Prandaj, për Shkëndijën – të gjithë jemi një!

–  Skuadrën e kemi shumë pranë fansave, kështuqë socializimi dhe lidhja e përzemërt mes tyre përbën forcën shtytëse të KF Shkëndija.

–  Kemi krijuar një ‘ushtri’ me fidane të reja të klubit. Mbi 300 anëtarë, nga mosha 8 deri 19 vjeç, janë shpresa dhe e ardhmja e Shkëndijës.

–  Sot “Shkëndija”, me miqësitë e reja, po krijon një rrjet me përmasa rajonale e ndërkombëtare. Kjo e bën Klubin të ketë të ardhme shumë premtuese e të ndritur.

 

Këto dhe shumë aspekte tjera, bazuar në forcën dhe stabilitetin material e financiar, janë platforma prej ku pritet lansimi i KF Shkëndija në përmasat globale. Qofshim gjithmonë të bashkuar, në sfida, në fitore e në festa.

Ju faleminderit, – na priftë e mbara drejt suksesit!

I juaji,

Lazim Destani

Share Now

Related Post

Leave us a reply